Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Senatorin amerikan Steve Daines, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Senatori Daines shoqërohej në këtë takim nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim.

Duke iu referuar marrëdhënieve të partneritetit strategjik, Presidenti Begaj vlerësoi se vizita e Senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj nënvizoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke iu referuar lidhjeve miqësore, vlerësoi se ato janë shumëdimensionale dhe shumë dinamike, dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanëshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.

Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me SHBA-në. Transformimi, modernizmi dhe niveli i lartë profesional që Forcat e Armatosura zotërojnë sot si anëtarë të denjë të NATO-s, janë edhe falë kontributit dhe mbështetjes së dhënë nga SHBA në fushën e arsimimit, pajisjes me kapacitete moderne dhe stërvitjeve të përbashkëta. Seria e stërvitjeve Defender Europe, krahas demonstrimit të aftësive profesionale, kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë në mbrojtje të vlerave Euro-Atlantike është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore ndërmjet ushtarakëve të dy vendeve.

Gjithashtu Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive të specializuara të të dy vendeve për përballimin e sulmeve kibernetike të vitit të shkuar nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, si dhe e informoi Senatorin mbi vendimin aspak të lehtë, por të drejtë, të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Duke u ndalur te bashkëpunimi shumëpalësh, Presidenti Begaj evidentoi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria prej 1 janarit 2022 mban një vend jo të përhershëm. Presidenti Begaj nënvizoi se “hartimi së bashku i disa rezolutave, veçanërisht atyre që dënonin agresionin rus ndaj Ukrainës, por jo vetëm, dëshmuan besim të fortë ndaj Shqipërisë mike dhe aleate”.   

Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe tek efektet, në shumë aspekte, që agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka prodhuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke evidentuar se mbështetja thelbësore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i japin dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i shërben së pari normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe paqes së qëndrueshme e sigurisë në të gjithë rajonin./tvklan.al