Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u largua nga konferenca kur u pyet nga gazetarët se cili ishte opinioni i tij për deklaratën që kishte bërë paraardhësi Barack Obama që pranonte se qeveria po hetonte ekzistencën e UFO-ve.

Pentagoni gjithashtu ka konfirmuar për shtypin amerikan se video që tregojnë “fenomene ajrore të paidentifikuara” janë të vërteta.

Ish-Presidenti Obama tha për emisionin “Late Night Show” se “ka regjistrime dhe xhirime të objekteve në qiell që nuk e dimë saktësisht se çfarë janë”.

“Ne nuk mund të shpjegojmë se si lëvizin, nuk mund të shpjegojmë trajektoren e tyre. Ata nuk kishin një model lehtësisht të shpjegueshëm. Kështu që mendoj se njerëzit ende përpiqen të hetojnë dhe të kuptojnë se çfarë janë”, u shpreh Obama.

Por kur Biden u pyet për këto deklarata të Barack Obamës, kreu i Shtëpisë së Bardhë iu përgjigj shkurtimisht gazetarit: “Unë do ta pyesja përsëri Obamën”. Më pas Joe Biden u largua pa bërë asnjë koment tjetër.

Ditët e fundit në rrjetet sociale dhe mediat amerikane është publikuar video e një objekti misterioz të filmuar nga anijet e marinës amerikane në brigjet e Kalifornisë. Këto pamje janë konsideruar si autentike.  /tvklan.al