Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko ka akuzuar Perëndimin për zhvillimin e një lufte hibride kundër tij.

Në daljen e parë publike pasi urdhëroi uljen e një avioni të Ryanair të linjës Athinë – Vilnius për të arrestuar një gazetar opozitar ndaj regjimit, Lukashenko nuk tregoi për asnjë moment tërheqje nga vendimi.

“Siç e parashikuam, keqdashësit tanë nga jashtë vendit dhe nga brenda vendit ndryshuan metodat e tyre të sulmit ndaj shtetit. Ata kanë kapërcyer shumë vija të kuqe dhe kanë cenuar moralin njerëzor”, është shprehur Aleksander Lukashenko.

Bjellorusia tashmë i është nënshtruar sanksioneve të BE dhe SHBA që kur Lukashenko goditi protestat pro-demokracisë pas zgjedhjeve të diskutueshme vitin e kaluar. 

Por vendimi i tij për të ndaluar një avion ndërkombëtar që fluturon nëpër hapësirën ajrore të vendit të tij dhe për të arrestuar një gazetar disident 26-vjeçar ka shkaktuar acarim të marrëdhënieve. BE ka bërë të ditur se sanksione të tjera të paspecifikuara janë gjithashtu në proces.

Nga ana tjetër Bjellorusia mohon se po i keqtrajton të arrestuarit.  Shumica e figurave të njohura të opozitës tani janë në burg ose në internim.

Lukashenko premtoi t’i përgjigjej ashpër çdo sanksioni.  Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden do të diskutojë incidentin me Presidentin Rus Vladimir Putin në një samit muajin e ardhshëm. 

Klan News