Presidenti çek: Nuk më pëlqen Kosova

Presidenti çek: Nuk më pëlqen Kosova

08:40 11/09/2019

Avioni i presidentit të Çekisë, Millosh Zeman arriti në kryeqytetin serb. Pritje e veçantë i është rezervuar mikut nga Praga. Ende pa zbritur mirë, ka konfirmuar dyshimet e një pjesë të politikës çeke për Pavarësinë e Kosovës. Fjalët e tij të para në aeroport e tregojnë këtë.

“Është kënaqësi të jem këtu pasi e dua popullin serb dhe Serbinë, nuk më pëlqen Kosova”, tha ai.

Presidenti çek, ndonëse nuk ka shumë rol ekzekutiv, kur arriti në pallatin e Serbisë ka thënë se brenda një muaji do ta shtrojë çështjen nëse mund të tërhiqet njohja e Pavarësisë së Kosovës. Pas takimeve me homologun e tij, Aleksandër Vuçiç, Zeman ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të Prishtinës.

“Unë nuk jam diktator, por do ta nxjerr para Këshillit dhe do të pyes nëse është e mundur që të tërhiqet njohja. Ministri i Mbrojtjes Metnar ka deklaruar se njohja e Kosovës ka qenë gabim. Besoj se ai do më mbështesë”.

Ai është shprehur kundër integrimit të Kosovës dhe ka etiketuar liderët e saj si kriminel.

“Gjykata e Hagës para ca kohësh ka publikuar lajmin ku ka tërhequr vërejtjen lidhur me krimet e luftës të përfaqësuesve të Kosovës. Për këtë ka dhënë dorëheqje edhe Kryeministri. Mendim personal, por shteti të cilin e udhëheqin kriminelët e luftës nuk do të duhej të ishte në familjen e shteteve evropiane”.

Presidenti serb Vuçiç e ka falenderuar për qëndrimin e tij ndaj Kosovës.

Zeman është i njohur në Ceki si politikan që ka qenë kundër komunizmit, por edhe si autor të ndasisë në shoqëri dhe si islamofob.

Tv Klan

Të ngjashme