“Kemi lidhje vëllazërie, nuk do presim askënd”

Turqia do të ndërtojë 500 shtëpi në Shqipëri, për të strehuar familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i fuqishëm i 26 Nëntorit.

Premtimin e bëri Presidenti turk Reccep Taip Erdogan, këtë të premte gjatë ceremonisë së përurimit të qendrës për inovacion në Universitetin e Marmarasë në Stamboll.

“Në Shqipëri ka pasur një tërmet. Ministria jonë e Mjedisit dhe Urbanizimit do të punojë për krijimin e terrenit të përshtatshëm për t’u ndërtuar 500 shtëpi vëllezërve shqiptare. Kjo është përgjegjësi e qytetërimit tonë. Vëllezërit turq do të ndërtojnë 500 shtëpi për vëllezërit e tyre shqiptarë. A ka ndonjë dallim? Asnjë. Kemi lidhje vëllazërie. Nuk duhet të presim askënd. Ne do t’i ndërtojmë vetë shtëpitë, sa më shpejtë të jetë e mundur, që ata të kalojnë dimrin aty”, ka thënë Erdogan.

Erdogan ishte ndër të parët udhëheqës të vendeve partnere që ofroi i ndihmë qeverisë shqiptare për të përballuar situatën e krijuar pas tërmetit të së martës. Ai madje u bëri thirrje për ndihmë edhe vendeve anëtare të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunim Ekonomik dhe Tregtar të Organizatës së Zhvillimit Islam.

Tv Klan