Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte ka urdhëruar policinë dhe ushtrinë që të vrasë të gjithë personat që krijojnë shqetësime dhe thyejnë masat e karantinës në vend.

Duterte i paralajmëroi të gjithë këta persona gjatë një fjalimi në televizion. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë të bashkëpunojnë dhe të ndjekin masat e karantinimit nga shtëpia. Duterte shtoi se abuzimi me punonjësit e shëndetësisë do të konsiderohet si një krim i rëndë.

“Urdhrat e mi për policinë dhe ushtrinë… nëse shqetësime dhe ka një moment që ata kundërshtojnë dhe jetët tuaja janë në rrezik, qëllojini për vdekje”, tha ai.

“Kuptuat? Të vdekur. Në vend që të shkaktoni probleme do t’ju varros”, është shprehur ai.

Ky paralajmërim i presidentit vjen pas përplasjes së qytetarëve dhe policisë në Manilla.

“Situata po përkeqësohet. Kështu që po jua them dhe njëherë rëndësinë e problemit dhe se ju duhet të dëgjoni”, është shprehur Duterte.

Por në një reagim për mediat, shefi i policisë në Filipine tha se Duterte thjesht po tregonte seriozitetin e tij në lidhje me rendin publik dhe se në të vërtetë askush nuk do të qëllohet./tvklan.al