Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, ka ftuar djalin e tij që të bëhet ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Eduardo Bolsonaro 35 vjeç është aktualisht kongresmen në Brazil. Ai këshillon babain e tij për punët e jashtme. 35-vjeçari u tha gazetarëve se do ta pranonte postin e ambasadorit në SHBA nëse do t’i ofrohej. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, do të duhet që të Eduardo Bolsonaro të japë dorëheqjen nga posti si kongresmen.

Pozicioni i ambasadorit brazilian në SHBA është vakant që prej muajit Prill. Eduardo Bolsonaro është konsideruar si “ministri i Jashtëm në hije” i Brazilit për shkak të ndikimit të fortë që ka tek babai i tij President. Jair Bolsonaro u zgjodh President i Brazilit vitin e kaluar pas një fushate të suksesshme, për të cilën tha se ishte frymëzuar nga Presidenti amerikan Donald Trump. Presidenti Bolsonaro ka një qëndrim të fortë pro SHBA-së, kurse djali i tij kongresmen është deklaruar hapur si pro-izraelit.

Jair Bolsonaro përdor disa anëtarë të familjes së tij si këshilltarë zyrtarë. Kështu, djali i madh Flavio është senator, ndërsa Carlos Bolsonaro është anëtar i këshillit të qytetit Rio de Janeiro. Duket se Presidenti brazilian ka kopjuar Presidentin amerikan Donald Trump, i cili ka këshilltare vajzën e tij Ivanka Trump. /tvklan.al