Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ishte në Tiranë këtë të enjte ku u takua me homologun e tij shqiptar Ilir Meta. Dy liderët zhvilluan në përfundim të takimit një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kreu i shtetit të Bullgarisë tha se vendi i tij mbështet rrugën europiane të Shqipërisë. Ai deklaroi gjithashtu se Bullgaria mendon që Shqipëria është gati për të nisur procesin e anëtarësimit për në Bashkimin Europian.

“Siç i premtova Presidentit Meta jam këtu me një qëllim të rëndësishëm që të shpreh mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të shqipërsë. Vizita ime në një moment të rëndësishëm sa i takon perspektivës së Ballkanit Perëndimor për të cilën Bullgaria kontribuoi shumë duke e kthyer në qendrën e vëmendjes së BE-së.

Bullgaria mendon se Shqipëria është gati për të nisur procesin e anëtarësimit në BE. Ne kuptojmë që procesi i bisedimeve është i ndërlikuar dhe i gjatë, por jemi të gatshëm të afrojmë asistencë”, tha Radev.

Presidenti bullgari falenderoi për kryerjen e reformave që i japin perspektivë pakicave kombëtare të jenë të lira që të realizojnë të drejtat. Ndërkohë Meta e falenderoi Presidentin Radev për mbështetjen e Bullgarisë pas situatës së tërmetit, por edhe ndihmën që ka dhënë në procesin e integrimit të vendit tonë në BE./tvklan.al