Që Shqipëria të jetë një vend tërheqës për investitorët e huaj duhet të arrijë sa më parë integrimin në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Televizionin Klan, presidenti i Dhomës Europiane të Tregtisë dhe Industrisë, Christoph Leitl thotë se kompanitë që kanë interes të investojnë në vendin tonë kërkojnë të njëjtat kushte si ato ka vendosur Bashkimi Europian: Shtetin e të drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Mendoj se qeveria është në rrugën e duhur, është ajo që Bashkimi Europian po pret. Siç ka thënë dhe Komisioneri Hahn, nëse ju kërkoni të hyni në BE në perspektivën e viteve 2020-2025 ju duhet të keni shtetin ligjor dhe të luftoni kundër korrupsionit. Nuk ka kompromis te kjo. Bashkimi Europian nuk beson premtime por kërkon rezultate konkrete. Mendoj se ju jeni në këtë rrugë, por duhet ta bëni pak më të dukshme jashtë se çfarë jeni duke bërë në mënyrë që të bindni Bashkimin Europian.”

Leitl thotë se pothuajse të gjithë sektorët janë tërheqës për investime, por po ashtu duhet të vendosen prioritete edhe për dhomat e bizneseve për të arritur atë që duhet.

“Të gjithë sektorët janë tërheqës për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri. Shërbimet, edukimi, formimi profesional.

Kreu i Dhomës Europiane të Tregtisë thotë se kompanitë që operojnë sot në Ballkan nuk kanë treguar se janë gati për t’u integruar në Bashkimin Europian.

“5 dhomat që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por të integruara në Dhomën Europiane të Tregtisë gjatë dekadës së fundit nuk kanë patur rritje të tregtisë mes njëra-tjetrës. Duhet të intensifikoni tregtinë mes njëri – tjetrit. Si do të jeni në gjendje të hyni në tregun europian, nëse nuk jeni në gjende të bëni tregti mes vendeve këtu në Ballkan?”

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht përpjekjeve vijojnë të mbajnë tarifa doganore dhe procedura tregtare të ndryshme nga njëra –tjetra, çka ka penguar në vite zhvillimin e tregtisë mes tyre.

Tv Klan