Ëndrra mbetet kualifikimi përtej grupeve të Europianit, me emocionet që sa vijnë e shtohen në kampin e kombëtares shqiptare. Përballja e kësaj të shtunë kundër kampionëve në fuqi të Europës, Italisë ngjall një ndjenjë të veçantë edhe për Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

Në një intervistë për median italiane TV Play, kreu i Federatës u shpreh se do ishte i lumtur nëse kalojnë mes 16 ekipeve më të mira të turneut, ndërsa shtoi se Sylvinho me gjasa do të jetë kuqezi edhe pas Europianit.


Armand Duka, Presidenti i FSHF: Për ne është krenari të jemi në EURO 2024 për këtë event madhor. Do të përballemi me tre ekipe shumë të forta si Italia, Kroacia dhe Spanja. Edhe ne jemi një skuadër e mirë, sepse kemi bërë një rrugëtim të bukur përgjatë kualifikueseve.  Do jemi të lumtur nëse do të kualifikohemi në fazën e 1/16-ve. Kemi shumë respekt për Italinë. Shpresojmë që të kalojmë si ne edhe Italia në fazën tjetër.  Forca jonë është kolektivi, sepse e gjithë skuadra është e bashkuar, të gjithë bashkë për qëllimet tona. Ndaj Italisë fitojmë ne me rezultatin 1-0. Me siguri Sylvinho edhe pas Europianit do të jetë sërish me ne.

Presidenti Duka, u ndal edhe tek e ardhmja e dy nga futbollistët e Kombëtares, Nedim Bajram dhe Armando Broja.

Armand Duka, Presidenti i FSHF: Bajrami sigurisht që është një lojtar i mirë, me cilësi të shkëlqyera teknike. Por ne i llogarisim të gjithë, sepse futbolli është një sport kolektiv. Nëse Broja bëhet pjesë e Serisë A do të isha i lumtur, por në këto momente, askush nuk po mendon për merkaton.

Kombëtarja shqiptare gjendet në grupin B së bashku me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, me përballjet e Europianit që do të transmetohen në TV Klan.

Klan News