Charles Michel: Negociatat, procesi ngrihet mbi 3 shtylla

Charles Michel: Negociatat, procesi ngrihet mbi 3 shtylla

14:29 24/01/2020

Rama: Vijojmë reformat pavarësisht vendimit

Nuk ka optimizmin e Komisionerit për Zgjerim Varhei, por dhe Presidenti i Këshillit Europian, duke folur në Tiranë në krah të kryeministrit Rama shpreson se në pranverë do të ketë një vendimmarrje pozitive për çeljen e negociatave për Shqipërinë.

Charls Michel thotë se për të bindur të 28 vendet për të arritur tek vendimi unanim që nevojitet kërkohen 3 shtylla ku të bazohet procesi.

“E para domosdoshmëria dhe dua ta shpjegoj, që të bien dakord si do ta mendojnë procesin e zgjerimit, cilat do të jenë reformat dhe çfarë zgjerimi duan vendet e BE-së që procesi të jetë i besueshëm. Ky është debati që do të kemi ne. Dhe do ta shikoni shumë shpejt, që pasi të jemi konsultuar me vendet do të formuloj propozimet. Pika e dytë. KE bëri propozime për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Përsëri do ta kemi këtë debat dhe jemi këtu, KE duhet të jetë i qartë për orientimin dhe më pas do të kemi nevojë për konsultimin me vendet anëtarë dhe unë do të inkurajoj KE-në që të vendosë. Pika e tretë është kryesore, thirrja dhe mobilizimi rreth tryezës për paktin për investimet në Ballkan. Me qëllim të inkurajohet zhvillimi ekonomik që është kusht kyç për të çuar përpara bashkëpunimet rajonale, që mund të ndihmojmë”, tha Michel.

Pavarësisht ecurisë së këtij procesi, Michel mendon se fati i Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës. Por për këtë kërkohet siç thonë të gjithë zyrtarët e BE ecuri pozitive për reformat për shtetin e së drejtës, luftës kundër krimit. Kryeministri garanton se reformat nuk varen nga vendimmarrja e Brukselit duke përsëritur se ato bëhen për të ardhmen e vendit.

“Kjo që po kalojmë është një fazë që BE ka një diskutim të brendshëm dhe me gjithë mirënjohjen, jam i vetëdijshëm që nuk varet nga çfarë themi dhe bëjmë ne, po varet nga sa miqtë tanë do bien dakord dhe cila do jetë qasja e re e BE-së. Edhe sikur Franca të kërkontë t hynte në BE, në këto kushte nuk do të pranohej nga Franca”, tha Rama.

Rama falenderoi BE-në për mbështetjen që po jep për të përballuar kostot e tërmetit të 26 Nëntorit dhe është i bindur se unioni nuk do ta lerë vendin tonë vetëm në përpjekjen për rindërtim. Këtë sipas tij po e dëshmon dhe me organizimin e konferencës së donatorëve në 17 Shkurt në Bruksel.

Tv Klan



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi