Presidenti i Parlamentit Europian i është drejtuar me një mesazh të rinjve shqiptarë pak para vizitës së tij dyditore që do të zhvillojë në vendin tonë.

“Dua t’u them veçanërisht të rinjve shqiptarë: Mos e humbni shpresën. Ne duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane. Sëbashku mund ta bëjmë këtë gjë të mundur. Duhet të jemi besimplotë dhe të vazhdojmë punën në rrugën që keni nisur”, shprehej Sassoli në një videomesazh publikuar në Tëitter.

Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, Parlamenti dhe Komisioni Europian janë në favor të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Nuk do të dorëzohemi”, shprehej ai ndërsa më tej shtonte se PE-ja do të shtyjë përpara për një vlerësim pozitiv nga Këshilli i Europës.

Sassoli do të takohet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, me të cilët do të diskutojë për zhvillimet politike në vend, si dhe për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë ditës së sotme, Presidenti i PE pritet të takohet me Kryeministrin Edi Rama, me Presidentin Ilir Meta dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Ndërsa gjatë ditës së nesërme, kreu i Parlamentit Europian pritet që të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe drejtuesit e tjerë të opozitës së bashkuar./tvklan.al