Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, e ftoi në bisedime presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Në një video-deklaratë të postuar në faqen e tij në Facebook, Zelenskiy tha se është i gatshëm të bisedojë me Putinin në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.

“A duhet të bisedojmë? Duhet. Le të bisedojmë se kujt i përket Krimeja dhe kush ndodhet në Donbas”, tha Zelenskiy.

Ai shtoi se do të donte që udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar të ishin të pranishëm në bisedime.

Moska e ka aneksuar ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014. Shumë shpejt pas aneksimit, Moska ka nisur mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës, në territorin e njohur si Donbas.

Luftimet midis forcave qeveritare dhe separtistëve pro-rusë atje kanë lënë të vrarë rreth 13,000 njerëz qysh në prill të vitit 2014.

Rusia e ka mohuar përfshirjen e saj në konfliktin në Donbas. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se Kremlini do ta konsiderojë thirrjen e Zelenskiyt për bisedime. /REL