Alban Xhaferi: Është sfidë, di çfarë i duhet për ringritjen

Nga basketbolli tek futbolli. Alban Xhaferi kërkon aksionet e klubit të Vllaznisë, pas një iniciative, që sikurse thotë, është e dashamirësve të futbollit në qytetin e tij.

Me anë të një shkrese zyrtare, Xhaferi i ka kërkuar Bashkisë së Shkodrës drejtimin dhe menaxhimin e klubit të futbollit Vllaznia.

“Është finalizimi i disa bisedave. Tashmë kërkojmë të kemi pjesë të aksioneve, ta bëjmë zyrtarisht kërkesën”.

Alban Xhaferri beson se i njeh vuajtjet e deritanishme të klubit të futbollit, dhe identifikon pikat kryesore ku duhet punuar për të çuar klubin shkodran atje ku e meriton.

Por kalimi nga basketbolli tek futbolli, në pamje të parë duket si hedhje në një det me peshkaqenë. Xhaferri është i gatshëm të ndërmarrë këtë sfidë.

“Futbolli ka më shumë interes, si çdo gjë në jetë ka sfida, me dëshirën e mirë dhe me punë ta kthejmë Vllazninë në pretendente për kampion dhe në paraqitje në arenën ndërkombëtare”.

Në Gusht të vitit 2011, Valter Fushaj dha dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit të Vllaznisë. Që prej atëherë, klubi shkodran nuk ka një sponsor kryesor.

Tv Klan