Presidenti Ilir Meta do të jetë i ftuar sonte në mbrëmje në emisionin “Zonë e Lirë” në orën 21:00 në Tv Klan.

Kreu i shtetit do të zhvillojë një intervistë ndryshe përballë gazetarit Arian Çani. Presidenti do të flasë për aktualitetin politik në vend, replikat në distancë mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama.

Ky i fundit e ka akuzuar se po vepron si kryetar opozite dhe nuk po bën detyrën e tij si President. Përplasja më e fundit Presidencë-Kryeministri janë ndryshimet në Kodin Elektoral.

Të enjten, mazhoranca socialiste rrëzoi në Parlament dekretin e Presidentit Ilir Meta që hodhi poshtë ndryshimet në Kodin Elektoral, ndërsa për këtë çështje i ka kërkuar opinion edhe Komisionit të Venecias.

Një tjetër pikë e diskutimit do të jetë edhe përballimi i situatës së pandemisë, për të cilën pak ditë më parë, Meta i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që të marrë masa të tjera për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve.

Por këto dhe më shumë, ndiqni sonte në orën 21:00 intervistën e Presidentit Ilir Meta në emisionin Zonë e Lirë në ekranin e televizionit Klan. /tvklan.al