Mungonte në daljet publike qëkur koronavirusi nisi të shkaktonte viktima në vatrën e përhapjes në Wuhan, por Presidenti kinez Xi Jinping u shfaq këtë të hënë teksa inspektonte spitalet ku kurohen disa të infektuar në Pekin.

Për t’i dhënë kurajë mjekëve të vazhdojnë deri në fund betejën kundër asaj që konsiderohet si sfida më e madhe e dekadave të fundit e Partisë Komuniste kineze, por edhe për të nxitur njerëzit të kryejnë testet për virusin, Jinping u shfaq me maskë në hundë teksa vullnetarët i masnin temperaturën.

Në opinionin publik vendas dhe të huaj janë hedhur akuza ndaj qeverisë kineze që nuk mori parasysh paralajmërimet e disa mjekëve për përhapjen e koronavirus, që para se ky virus i rrezikshëm të merrte jetë njerëzish.

E diela shënoi mbi 90 të vdekur brenda një dite, një numër rekord që çon kështu në 908 numrin e viktimave në total. Vetëm një person ka humbur jetën jashtë territorit të Kinës, në Filipine, ndërsa numri i vendeve ku është përhapur koronavirusi është 27. Mbi 40 mijë janë të infektuarit.

Sakaq, në brigjet e Japonisë vazhdojnë të jenë të bllokuar mbi 3700 pasagjerët e një trageti turistik. 60 pasagjerë të tjerë rezultuan pozitivë ndaj testeve për koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 130.

Tv Klan