“Cënohet siguria juridike, nuk ka Gjykatë të Lartë të unifikojë vendimet”

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në kuvend një pjesë të ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara së fundi nga Parlamenti.

Kreu i Shtetit kërkon që kuvendi të qartësojë formulimin e katër neneve, të cilat lidhen me dënimin e personave që kryejnë vjedhjen e veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit, i subjekteve apo personave që shkaktojnë ndotje të mjedisit e që dëmtojnë florën dhe faunën, dhe po ashtu të ashpërsimit të masës së dënimit për goditje për shkak të detyrës.

Në gjykimin që sqarohet në dekretin e Presidentit, thuhet se këta paragrafë kanë mbivendosje me disa pjesë të tjera të Kodit Penal dhe lenë hapësira për keqinterpretime.

“Nga shqyrtimi konstatohet se formulimet e disa dispozitave të Kodit Penal, përmbajnë problematika që cënojnë parimin e zbatimit efektiv të normës, duke rrezikuar aplikimin dhe interpretimin në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin e tyre nga jurisprudenca”.

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, si organe që  marrin vendime unifikuese mungojnë, Presidenti Meta thotë se i takon kuvendit që të tregojë kujdes maksimal në hartimin e ligjeve pasi cënohet siguria juridike e qytetarëve.

“Kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të  parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj”.

Presidenti ka lënë në fuqi ndryshimet e tjera në Kodin Penal të cilat lidhen me ashpërsimin e dënimeve për çështjet e sigurisë ushqimore dhe atyre që ushtrojnë dhunë ndaj mjekëve dhe sportistëve e arbitrave në aktivitetet sportive duke i vlerësuar si pozitive.

Tv Klan