Protestat masive 4 fundjava rresht në mbarë Francën për të kundërshtuar taksën e karburantit, bënë që qeveria franceze të tërhiqet nga vendimi.

Mediat franceze raportojnë se Presidenti Emmanuel Macron pritet t’u kërkojë falje protestuesve përmes një deklarate të drejtëpërdrejt në televizion. Presidenti francez pritet që t’i drejtohet popullit mbrëmjen e së hënës dhe të bëjë një “mea culpa”.

Protesta e të ashtuquajturve “jelekët e verdhë” bëri që Franca të përjetonte demonstrata të fuqishme prej 4 fundjavash. E fundit ishte ajo e ditës së djeshme, ku në rrugët e Parisit vërshuan mijëra protestues. Bizneset ishin mbyllur, ndërsa policia shoqëroi 1700 protestues, ku nuk munguan as aktet e dhunës.

Demonstrat nisën kundër taksës së re të karburantit, për të cilën qytetarët ankohen se kjo dhe të tjera taksa u kanë rritur kostot e jetesës. Qeveria u tërhoq nga kjo taksë, mirëpo tani qytetarët kërkojnë të ulet akoma më shumë çmimi i karburantit, që është rritur gjatë këtij viti.

/tvklan.al