Presidenti francez Emmanuel Macron ka vizituar qytetin verior të Irakut, Mosul, i cili u shkatërrua gjatë luftës për të mposhtur grupin e Shtetit Islamik në vitin 2017.

Macron tha se ISIS kreu sulme vdekjeprurëse në të gjithë botën. Ai tha se ISIS nuk bëri dallim midis fesë dhe kombësisë së njerëzve kur ishte fjala për vrasjen, duke vënë në dukje se ekstremistët vranë shumë myslimanë.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, krah për krah, me qeveritë e rajonit dhe me qeverinë irakiane për të luftuar kundër  terrorizmit,” tha Macron pas një vizite në një xhami e cila u shkatërrua nga ekstremistët.

Presidenti francez deklaroi se do të ndihmonte në rindërtimin e monumenteve, kishave, shkollave dhe xhamive. Macron bëri një listë premtimesh gjatë takimit të tij në Irak përfshirë hapjen e një konsullate. Presidenti u zotua se do të mbajë trupa ushtarake në Irak pavarësisht nga zgjedhjet e amerikanëve dhe për aq kohë sa qeveria irakiane kërkon mbështetjen e Francës.

Kjo është vizita e dytë zyrtare për Macron në Irak qëkur ai mori detyrën si president. Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, u bë shtylla burokratike dhe financiare e ISIS. U desh një betejë e gjatë nëntë mujore për të çliruar përfundimisht qytetin në korrik 2017.

Mes shumë civilëve të vrarë lufta la pas dëme të mëdha materiale. Shumë irakianëve u është dashur të rindërtojnë vetë mes një krize financiare shumëvjeçare.

Klan News