Arkiva Lajme – Tv KLan 2000

Asnjë marrveshje nuk është arritur sot mes pozitës dhe opozitës në tryezen e organizuar nga Presidenti Meidani për plotësimin e pjesës së mbetur të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe për infrastrukturën zgjedhore. Demokratët nëpërmjet nënkryetarëve Gjana e Topalli kanë kërkuar të krijohet nga e para KQZ.

Jemin Gjana, Nënkryetari i PD:- “Ajo çka ne kërkuam ishte që mbi bazën e kodit të rifillohej, të organizohej, të rindërtohej edhe njeherë nga e para KQZ, sepse praktikisht është operuar me një dubël standart. Një pjesë e anëtarëve të komisionit janë dekretuar ose janë emëruar me vendimet e organizmave që parashikohen lidhur me Kushtetutën, para se të dilte kodi dhe pjesa tjetër pas daljes së kodit”.

Gjatë 90 minutave të takimit në presidencë, opozitarët dhe ambasadorët e OSBE-së Ahrens dhe ai i Këshillit të Europës Grunet, kanë kërkuar të rishikohet neni 153 i kodit të ri elektoral, për tju krijuar mundësi partive të vogla të përfaqësohen në komisionet lokale të votimit.

Sipas zëdhënësit të presidencës Mentor Nazarkos, së afërmi presidenti Meidani do të thërrasë në një takim drejtuesit e partive të vogla. Sipas ligjit të ri elektoral, mbledhja e parë e KQZ, duhet të zhvillohet brenda datës 15 Qershor. Ndërkohë përfaqësuesit e qeverisë kanë marrë përsipër realizimin e ndarjes së re territoriale të Shqipërisë brenda muajit Korrik, ndërsa rregjistrimin e votuesve do të përfundoj brenda datës 25 Gusht./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame