BUJAR NISHANI.Still001Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë në ceremoninë tradicionale të pelegrinazhit bektashian në Malit e Shenjtë të Tomorit, që u zhvillua në mjediset e Teqesë së Kulmakut. Kreu i shtetit vleresoi harmoninë fetare të shqiptarëve si një vlerë e patjetërsueshme dhe të trashëguar ndër shekuj.

Kjo bashkëjetesë, harmoni e tolerancë është kontribut dhe fryt i bashkësive fetare shqiptare, i përfaqësuesve dhe drejtuesve shpirtërore, të cilët predikojnë me urtësi dhe devotshmëri mësimet e shenjta dhe parimet e shëndosha të moralit njerëzor, por mbi të gjitha, këto vlera u përkasin qytetarëve shqiptarë, të cilët i ruajnë e i lartësojnë ato dita-ditës.

Këto vlera të patjetërsueshme, këto visare të çmuara të kombit tonë ne jo vetëm do t’ua lëmë trashëgim brezave të ardhshëm, por do t’i përçojmë dhe eksportojmë edhe në mozaikun e vlerave të shumëllojshme të familjes së madhe evropiane, aty ku aspirojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt e me merita të plota edhe zyrtarisht, e jo vetëm gjeografikisht.

Në këtë drejtim, Presidenti Nishani vlerësoi rolin e drejtuesve të bektashizmit.

Dëshiroj që të përshëndes e të vlerësoj kontributin dhe veprën e drejtuesve të nderuar bektashinj që nga Baba Abaz Aliu, Vëllezërit Frashërlinj, e deri te i ndjeri Haxhi Dede Reshat Bardhin – por, veçanërisht sot Haxhi Baba Edmond Brahimajn, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, i cili vazhdon traditën e shkëlqyer të veprimtarëve të palodhur në konsolidimin e dialogut shoqëror dhe ndërfetar”.

Në fjalen e tij Presidenti kujtoi qendresën e shqiptarëve përballë diktaturës komuniste dhe shkatërrimit të besimit dhe të fesë si institucion.

“Diktatura komuniste u përpoq me çdo mjet ta shkëpuste shqiptarin nga besimi e Zoti, duke vrarë, burgosur e syrgjynosur klerikët e duke shkatërruar objektet e kultit – përpjekje që arritën kulmin absurd në vitin famëkeq 1967 kur feja u ndalua me ligj dhe Shqipëria u vetëshpall i vetmi vend ateist në rruzull.Por ja ku jemi sot, në Teqenë e Kulmakut, në majën e shenjtë të Malit hijerëndë e kreshtathinjur, në Tomorin e lashtë, që përpos madhështisë së tij karakteristike, ofron edhe një frymëzim të pakrahasueshëm shpirtëror, artistik e natyror”.

Baba Mondi i dhuroi Kreut të Shtetit simbolin e Abaz Aliut në mirënjohje për vizitën në këtë ceremoni peligrinazhi.

Në fund, një koncert festiv për të pranishmit, një ekspozitë për veprimtarinë e bektashinjve si një vizitë në Teqenë e Kulmakut si dhe Tyrben e Shenjtë të profetit bektashian Abaz Aliu në majën e Malit Tomor.

TV KLAN