Presidenti Ilir Meta në Ditën e Mbrojtjes së Mjedisit theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pasurive natyrore dhe promovimin e tyre.

Në një status në rrjetin social “Facebook”, kreu i shtetit veçoi lumin e Vjosës dhe bëri thirrje për mbrojtjen e tij në të gjitha degët për të mos lejuar shkatërrimin e lumit.

Ai vlerësoi punën kërkimore të shkencëtarëve lidhur me këtë lumë dhe i bëri thirrje ndaj autoriteteve të larta europiane për përkrahjen e kauzës.

Postimi i plotë:

Në Ditën Botërore të Mjedisit theksoj me forcë rëndësinë e shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme kombëtare dhe europiane.
E përshëndes punën studimore të realizuar së fundmi prej një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, si dhe i vlerësoj konkluzionet dhe kontributin e tyre të vyer për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të lumit Vjosa.
Mbështes thirrjen e tyre, të komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edward Norton, drejtuar Qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t’u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë.
I inkurajoj të gjitha autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve, duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!”
/tvklan.al