Qytetarët do të votojnë më 25 Prill të 2021

Të dielën e 25 Prillit qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen kutitve të votimit për të zgjedhur Parlamentin e ri.

Presidenti i Republikës, pas takimeve që zhvilloi ditën e premte me përfaqësues të partive politike, dekretoi datën për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, duke caktuar të dielën e katërt të Prillit për zhvillimin e votimeve.

“Zgjedhjet për Kuvendin të zhvillohen ditën e dielë, më datë 25 Prill 2021”.

Në takimet e së premtes të zhvilluara në presidencë, përfaqësuesit e partive politike nuk folën për një datë konkrete duke lënë të hapur të gjitha opsionet, përveç zhvillimit të tyre në 2 Maj që përkon me festën e Pashkëve.

Me dekretimin e datës së zgjedhjeve, edhe mazhoranca dhe opozita do të duhet të ulen në tryezën e Këshillit Politik për të reflektuar në kod ndryshimet kushtetutese të bëra në 30 Korrik.

Ndonëse nuk ka ende një datë për mbajtjen e tryezës së radhës, opozita është shprehur e gatshme për të lëshuar sa i përket çështjes së hapjes së listave, por prerazi refuzon të negociojë për heqjen e koalicioneve elektorale.

Sakaq në të dy kampet demokratët dhe socialistët kanë ndezur motorët e fushatës elektorale për betejën e radhës në 25 Prill.

Tv Klan