Presidenti i vendit, Ilir Meta ka vlerësuar sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacollin.

Presidenti i dorëzoi Pacollit Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për angazhimin dhe ndjeshmërinë e lartë personale dhe familjare, treguar ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, si gjithë populli dhe shteti i Kosovës, duke nxitur një zinxhir solidariteti kombëtar të pashembullt pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për kontributin e tij të vazhdueshëm humanitar në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se ajo që e bën Pacollin të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes.

“Po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe. Si një ambasador i paqes, si një sipërmarrës i suksesshëm i përmasave ndërkombëtare, si promovues i realiteteve ekonomike kombëtare, nëpërmjet nxitjes së formave komplementare, politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, me dashuri të madhe për Kosovën dhe shqiptarët, ai është një dëshmi e veçantë dhe e pashembullt, jo vetëm e suksesit, por edhe e humanizmit”. /tvklan.al