Pa kaluar 24 orë nga mbërritja në zyrën e kreut të shtetit të propozimeve që Kryeministri Edi Rama bëri për ndryshimet në kabinetin qeveritar, Presidenti Ilir Meta ka hedhur firmën për shkarkimin e ministrave dhe emërimin e disa prej emrave.

Dekreti i parë për shkarkimin nga detyra ishte ai i ministres së Arsimit Lindita Nikolla, për të vijuar me ministrat Niko Peleshi, Mirela Kumbaro, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Sonila Qato dhe zëvendëskryeministren Senida Mesi.

I vetmi ministër që vijon të qëndrojë në detyrë, për të cilin Presidenti Meta nuk ka firmosur ende shkarkimin është ai i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Shkarkimet janë shoqëruar edhe me dekretimet e disa prej emrave të propozuar nga Kryeministri Rama, por edhe këtu Kreu i shtetit ka qënë i kursyer në firmat e hedhura.

Dakordësinë e Presidentit e kanë marrë vetëm ministrat që gëzojnë mandatin e deputetit, mes të cilëve Elisa Spiropali, të cilës i është besuar Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin, Bledi Çuçi i cili do të drejtojë Ministrinë e Bujqësisë, Eduard Shalsi që do të ulet në karrigen e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, si dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe.

Për 5 emrat e tjerë të propozuar nga Kryeministri Rama, Gent Cakaj si ministër i Jashtëm, Besa Shahini te Arsimi, Anila Denaj te Financat, Elva Margariti ministre e Kulturës dhe Belinda Balluku për Infrastrukturën, që nuk janë deputetë kreu i shtetit mësohet se do të mbledhë informacion përpara se të shprehet me dekret.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Meta nuk dekreton menjëherë ministra të kabinetit Rama. Pak kohë më parë një përplasje mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë u shënua për dekretin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të cilin Kryeministri Rama u shpreh se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar që të interpretojë nëse kreu i shtetit ka të drejtë të mos dekretojë një ministër.

Ministrat e rinj në kabinetin “Rama 3” erdhën si propozime të kreut të qeverisë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare së Partisë Socialiste më 28 Dhjetor. Bazuar në nenin 98 të Kushtetutës, Presidenti Meta ka një javë kohë për t’u shprehur me dekret për 5 ministrat që vijojnë të jenë ende pezull dhe dekreti i kreut të shtetit shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Edhe në rast të firmës së Presidentit në favor të 5 emrave që ende nuk janë dekretuar, ministrat e rinj do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar vetëm pasi të votohen në Parlament dhe për këtë do të duhet të presin nisjen e sesionit të ri parlamentar në 21 Janar.

Tv Klan