Në funksion të paqes dhe rajonit, Serbisë dhe Kosovës i nevojitet vijim i dialogut në rrugëtimin e përbashkët europian, pa cënuar kufijtë ekzistuese mes dy shteteve.

Ky është qëndrimi që Presidenti Ilir Meta ka mbajtur gjatë një interviste dhënë për të përditshme italiane “Ili Messaggero”, për një ndër cështjet që së fundmi ka ndezuar debatin në Prishtinë e Tiranë; idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Beogradit.

“Për paqen, jo vetëm në rajonin tonë, është themeltare që Beogradi dhe Prishtina të konsolidojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë bashkë, akoma më shumë, në rrugën e integrimit europian por pa prekur çështjen e kufijve”.

Kreu i shtetit e ftoi Brukselin të shohë progresin e arritur nga Shqipëria, në mënyrë që në Qershorin e 2019-ës vendit t’i ndizet drita jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Union.

“Shpresojmë që bisedimet të hapen dhe Shqipëria të ketë anëtarësim të shpejtë. Dëshiroj që BE të shohë në optikën e duhur progresin e bërë nga Shqipëria, jo vetëm për integrimin europian, por edhe për të focuar ekonominë dhe shtetin e së drejtës”.

Presidenti Meta pritet të takohet të hënën me Atin e Shenjtë, të cilin në intervistën e dhënë për të përditshmen “Il Messaggero” e ka falenderuar në mënyrë të veçantë për vëmendjen që Papa Francesku ka patur për Shqipërinë dhe mbështetjen për bashkëjetesën shembullore fetare.

Tv Klan