Presidenti Ilir Meta ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që të nisë auditimin e Albcontrol pas situatës së krijuar me kontrollorët e kësaj shoqërie, të cilët kanë pezulluar punën duke bllokuar të gjitha fluturimet ajrore në Shqipëri.

“Nisur nga situata tepër e rëndë e krijuar dhe veçanërisht rolit, që ka “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, e lidhur direkt me sigurinë kombëtare të vendit dhe me garantimin e shërbimeve për udhëtarët dhe qytetarët shqiptarë, Presidenti i Republikës Ilir Meta, i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke i kërkuar të fillojë pa vonesë një auditim të plotë në shoqërinë “Albcontrol” mbi:

–   mënyrën e menaxhimit të kësaj shoqërie;

–  respektimin e dispozitave ligjore në vendimmarrjet e organeve drejtuese;

–   përdorimin e fondeve publike;

–   respektimin e procedurave në marrëdhëniet e punës, si dhe

–   çdo aspekt tjetër që paraqet rrezik për veprimtarinë e sigurt dhe funksionimin normal të “Albcontrol”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kreu i shtetit bën thirrje që autoritetet respektive të marrin të gjitha masat për të mos vënë në rrezik sigurinë e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, për të rifilluar pa vonesë funksionimin e monitorimit ajror dhe të shërbimeve aeroportuale.

Presidenti i Republikës shpreh gatishmërinë të thërrasë urgjent një tryezë për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të arsyeshme. /tvklan.al