Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Parlamentin ligjin “për taksat kombëtare” të ndryshuar.

Sipas Presidentit, “ky ligj ka si qëllim përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve minerare (ferrokromi, koncentratet e kromit dhe të bakrit), nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në fund të vitit 2023, dhe aplikimin e normës së rentës minerare në masën 1/3, për vitin 2024 e në vijim”.

Në dekretin për kthimin e ligjit, Meta argumeton se ky ligj do t’i shkaktojë shtet një dëm në buxhet prej 500 milionë Lekësh në të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore.

“Ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare. Kësaj nisme i mungon transparenca që nga momenti që është propozuar, vlerësuar, analizuar kostot pozitive dhe negative në ekonomi për këtë nënsektor dhe për nënsektorët e tjerë, deri te formalizimi i propozimit”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Kreu i shtetit shprehet se ky ligj është miratuar pa asnjë konsultim me pushtetin vendor, që është përfitues direkt i një përqindjeje të të ardhurave nga renta minerare, duke cënuar parimin e decentralizimit dhe autonomisë së këtij pushteti. /tvklan.al