Presidenti Ilir Meta është takuar me kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahim, me të cilin ka diskutuar për ecurinë e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK.

Në takimin e zhvilluar në Presidencë, me kërkesë të kreut të KLP-së, Meta u informua nga Gent Ibrahimi për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme.

“Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /tvklan.al