Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur faktin që 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë kanë shkuar në Itali për të ndihmuar shtetin fqinj në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shpreh mirënjohjen për bluzat e bardha për sakrificën e tyre.

Mirënjohje dhe krenari për 30 mjekët dhe infermierët tanë, të cilët do shërbejnë në rajonin më të prekur nga pandemia në Italinë fqinje. Ky solidaritet dhe këto sakrifica do ta forcojnë edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë”, shkruan Presidenti Ilir Meta.

30 mjekët dhe infermierët shqiptarë u nisën pasdite nga aeroporti i Rinasit drejt Italisë, ku u pritën nga ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio. Stafi mjekësor shqiptar do të mbështesë kolegët e tyre italianë për trajtimin e pacientëve në Itali të infektuar me COVID-19. /tvklan.al