“Kuvendi ka parasysh akomodimin e interesave të personave të veçantë”

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim një tjetër ligj, atë për Akademinë e Shkencave. Kreu i shtetit deklaron se është shkelur Kushtetuta dhe e cilëson si një tjetër rast se si Parlamenti bën ligje për persona të veçantë.

“Kuvendi i bën ligjet dhe i ndryshon, duke patur parasysh akomodimin e interesave të personave të veçantë për shkak të rrethanave aktuale dhe jo mbështetur mbi parime të shtetit të së drejtës dhe interesin për forcimin e institucioneve të pavarura në vend, siç duhet të jetë Akademia e Shkencave”.

Meta thekson se ligji cënon kompetecat e kreut të shtetit.

“Presidenti i Republikës është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e Kreut të Shtetit kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet në një vendimmarrje të dytë të ndonjë institucioni apo organi tjetër kushdo qoftë ai”.

Ligji i miratuar në Kuvend e detyron Presidentin që brenda 10 ditëve të kryejë emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave që i është propozuar. Për Metën kjo është antikushtetuese, pasi Kushtetuta nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit duhet të shprehet.

Më 12 Korrik, Presidenti Meta refuzoi dekretimin e Skënder Gjinushit në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Ky institucion deklaroi se do i ripropozojë kreut të shtetit dekretimin. Sipas Metës, nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për dekretet e Presidentit.

Tv Klan