Presidenti Meta: Palët kishin marrëveshje për ta çuar vendin në përplasje

Presidenti Meta: Palët kishin marrëveshje për ta çuar vendin në përplasje

21:39 03/10/2019

“Disa ndërkombëtarë u bënë palë dhe palaço”

Me tone të ashpra është drejtuar Presidenti Ilir Meta ndaj partive politike kryesore në vend dhe drejtuesve të tyre, për krizën politike në vend.

Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, kreu i shtetit ka deklaruar se partitë politike nuk ishin të interesuara për të zgjidhur krizën.

Madje, Meta thotë se mes palëve kishte një marrëveshje për ta çuar vendin në përplasje në mënyrë që secili të kishte përfitimet e veta.

Blendi Fevziu: Kur jeni ulur, a i keni thënë që jemi në një situatë, nuk e di çfarë zgjidhje do kemi. A keni folur normal?

Presidenti Ilir Meta: Në 24 Maj ka një deklaratë zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë që është një paralajmërim jo vetëm për të gjetur një zgjidhje por edhe për të treguar që unë do ta luaja rolin tim në mënyrë që vendi të kishte mundësi për të dalë nga kriza. Duan s’duan palët, është çështje e tyre. Pas deklaratës zyrtare të CDU/CSU, ka një deklaratë nga Presidenti i Republikës që mbështet këtë qëndrim. Partitë nuk u dakorduan sepse për fat të keq kishin një marrëveshje, me dashje pa dashje, për ta çuar vendin në përplasje.

Blendi Fevziu: Kishin një marrëveshje PS me PD-LSI?

Presidenti Ilir Meta: Kishin kalkulim sepse mendonin që përfitonin nga përplasja.

Presidenti Ilir Meta nuk kursen as kritikat ndaj disa ambasadorëve dhe ndërkombëtarëve, të cilët i konsideron palaço dhe të njëanshëm.

Blendi Fevziu: Pra, ju mendoni që palët ishin të gatshme të përplaseshin?

Presidenti Ilir Meta: Palët u përplasën. Harroni ju sa policë u dëmtuan? Harroni ju gishtat e asaj polices së re që u këputën? Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesor të opozitës, që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale përpara kamerave dhe që edhe mund të humbiste jetën se kishte bërë një operacion në zemër. Pasi ka vajtur në spital, ka bërë ndërhyrje. Po të kishte ndodhur diçka tjetër, do të ishte tjetër histori në Shqipëri. E pra, Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e ca ndërkombëtarëve që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë dhe palaço që të vriteshin shqiptarët që pastaj të thoshin po Presidenti çfarë bëri.

Blendi Fevziu: Po përse mendoni ju që e kishit këtë rol që të paqtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit gjithë krizën?

Presidenti Ilir Meta: Ajo ishte detyra ime, detyrën time e kam bërë me përgjegjësi dhe transparencë të plotë. Dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.

Blendi Fevziu: A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Ilir Meta dhe nuk jeni bërë palë?

Presidenti Ilir Meta: Zero palë. Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues një palë.

Blendi Fevziu: Edi Rama.

Presidenti Ilir Meta: Po. Ilir Meta kërkoi që të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë të shkojnë të votojnë. Jo vetëm ata që kjo e drejtë mund t’u mohohej për shkak të zgjedhjeve të papërgjegjshme të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Fatmir mediut, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës etj. Por edhe ata që shqiptarë që duan të votojnë për PS, PDIU, të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë, në mënyrë të fshehtë, sepse votimet me një kandidat nuk janë të fshehta, nuk janë dokumentare.

Blendi Fevziu: Keni të drejtë për të gjitha këto, por krijohet precedenti që nëse njëra palë nuk futet në zgjedhje ato mund të shtyhen.

Presidenti Ilir Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007, nuk është ky precedent që u krijua. Dhe tani situata është shumë më e rëndë se në vitin 2007.

Blendi Fevziu: Data u shty pas marrëveshjes së partive në 2007.

Presidenti Ilir Meta: Në 2007-n kishte, por edhe tani, kishin marrëveshje për të përplasur shqiptarët, kjo është shumë e qartë.

Blendi Fevziu: Ku ishte kjo marrëveshje?

Presidenti Ilir Meta: Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, ta lemë një datë dhe ju nuk doni dhe vazhdoni të tregoni forcë. Marrëveshja ishte. Shikoni, ju lutem kthejini kronikat tuaja, shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthehujini pamjeve tuaja, Tirana në gaz, si me qenë në gaza dhe jo në mes të Europës. Shikoni sesa policë janë ndjekur nga prokuroria për tejkalim të kompetencave, shikoni thirrjet edhe të ambasadave, që edhe policia duhet të sillet në mënyrë proporcionale, shikojini të gjitha këto. Shikoni mor, or zotëri shikoni thirrjet e 4-5 udhëheqësve të komuniteteve feëtare të shqipërisë. Mirë Ilir Meta mund të ketë një interes, mirë Rama ka një interes, edhe ju keni një interes, po këta udhëheqës të komuniteteve fetare, shikoni çfarë thonë. Mos e çoni kombit drejt vëllavrasjes, mos na çoni në 97-n, janë deklarata të tyre. Sepse udhëheqësit fetarë nuk kanë asnjë interes politik. Dëgjoni OSBE/ODIHR.

/tvklan.al


Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori