Pas kërkesës së partive aleate të demokratëve në opozitë për një takim me Presidentin Ilir Meta në funksion të zgjidhjes së krizës politike në vend, ky i fundit do t’i presë në selinë e tij ditën e martë në orën 11.

Me iniciator kreun e republikanëve Fatmir Mediu, takimi do të zhvillohet mes presidentit Meta dhe 5 partive opozitare, PR, PDK, PAA, LZHK dhe PBDNJ.

Kërkesa e artikuluar tashmë nga partitë, të formalizuara edhe në “Grupimin e Qendrës së Djathtë” është që kreu i shtetit të mundësojë një tryezë me të dyja palët, opozitë dhe mazhorancë.

Kjo e fundit sipas këtij grupimi mund të përfaqësohet nga kushdo, përfshi kryeministrin Rama, për sa kohë dialogu mundëson garantimin e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm, gjë e cila sipas opozitës me kryeministrin Rama nuk mund të ndodhë.

Kjo tryezë sipas grupimit të qendrës së djathtë duhet të përcaktojë kohën e implementimit të një qeverie kujdestare për zgjedhjet dhe garantimin e tyre./abcnews.al