Presidenti Ilir Meta ka propozuar gjyqtaren Vitore Tusha për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Në një njoftim zyrtar të Presidencës, pas shqyrtimit të kandidaturave vendosi t’i propozojë Kuvendit emrin e Vitore Tushës.

Presidenti ka arritur në konkluzionin se Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërperë në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë.

Vitore Tusha është aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese të cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 Mars 2017. Ajo ka kaluar me sukses edhe Vettingun duke u rikonfirmuar në detyrë.

“Duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues”,

thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur procedurat për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi Bujar Leskaj nuk do të rikandidojë më. 

/tvklan.al