Presidenti Ilir Meta e cilëson proces të rremë dhe verbërisht politik nismën e Parlamentit për rrëzimin e dekretit dhe shkarkimin e tij.

“E gjitha veprimtaria aktuale parlamentare që përpiqet të godasë veprimtarinë e Presidenti të Republikës, por pa mundur të rrëzojë përmbajtjen e dekretit të tij, është një proces i rremë, i pambështetur në argumentet kushtetues, por vetëm i orientuar verbërisht politikisht.”

Në përgjigjen që i kthen kreut të Komisionit të Ligjeve për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, presidenti i Meta thekson se, nismat e parlamentit, nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike.

“Ky proces i rremë dhe verbërisht politik, nuk i shërben aspak zgjidhjes së krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, por përkundrazi e rëndon më tepër atë, si një përpjekje e shfrenuar për të thelluar ndasitë midis palëve dhe për të asgjësuar çdo mundësi për krijimin e klimës së dialogut e bashkëpunimit që Presidenti i Republikës, prej kohësh po i kërkon palëve.”

Kuvendi ka nisur të shqyrtojë nismën e 55 deputetëve për shkarkimin e kreut të shtetit. Kjo pasi sipas tyre, vendimi i metës për të shtyrë zgjedhjet, është antikushtetues.

Ndërsa Presidenti, nga ana tjetër, ka hedhur dyshime mbi legjitimitetin e legjislativit, pasi është shprehur se është zgjedhur në detyre nga një parlament legjitim dhe jo si ky, si dhe ka kërkuar informacion nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve për numrin aktual të deputetëve dhe procedurën e zëvendësimit të mandateve.

Tv Klan