“Kuvendi të mos pozicionohet në anën e grupit mafioz”

Përpara medias Presidenti ilir Meta u shfaq për të thënë se letra e tij dërguar Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varheji pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave, është keqpërdorur nga mediat, që sipas tij janë nën kontrollin e mazhorancës.

“Për zonjën e Bilalit po e rilexoj paragrafin. ‘Isha i detyruar t’i shkruaj komisionerit sepse kemi të bëjmë me momentin më të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e formulimit linte për të kuptuar sikurse e patë kjo vjen për shkak të interpretimit mafioz të mazhorancës që vuri Dvoranin mbi Kushtetutën dhe vetë vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi’. Është kjo përgjegjshmëri dhe vullnet për çeljen e negociatave? Jo. Ka vetëm një interes për të minuar interesat kombëtare nga shumica”.

Për kreun e shtetit ka vetëm një pengesë në hapjen e negociatave.

“Kush na bën në moral, zonja Bilali që e bllokoi procesin e integrimit për 3 vjet për një kryetar qarku në Fier. E detyrova unë zonjën e Bilalit të miratojë tre ligjet. Ky ishte i vetmi kusht për zonjën e Bilalit”.

Në qendër të akuzave për grusht shteti, Presidenti ka vënë edhe Kuvendin, ndaj dhe një mesazh i dërgoi shoqërisht edhe mikut të vjetër Gramoz Ruçi.

“Ai e kupton që kjo është një vepër e patolerueshme. Faktet e reja që dolën kërkojnë një analizë nga Kuvendi i Shqipërisë për t’u pozicionuar përfundimisht në anën e shtetit të së drejtës apo grupin mafioz”.

Por sa janë reale shanset për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në samitin e Zagrebit, sipas Presidentit?

“Me këto skandale mbi skandale rruga vetëm vështirësohet ndaj t’i thërrasin mendjes dhe mos përgatisin tani alibi e armiq siç dëgjova edhe dje se gjoja i ka thënë presidenti këtyre ministrave që kanë ardhur mos na çelin negociatat, kjo është marrëzia më e madhe”.

Në lidhje me ultimatumin dërguar mazhorancës për të mos rrëzuar dekretin e tij për kthimin e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, pasi në të kundërt do të shpërndajë Parlamentin pas 15 Marsit, Presidenti foli sërish për vija të kuqe.

“Integriteti i Gjykatës Kushtetuese është vijë e kuqe, e kuqe flakë e patë uraganin kuq e zi”.

Tv Klan