Presidenti Ilir Meta është takuar me zv/Presidentin e Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, Alex Soros, djalin e miliarderit amerikane George Soros.

Në takimin e zhvilluar në Presidencë ka qenë i pranishëm edhe Andi Dobrushi, drejtori ekzekutiv i zyrës së fondacionit në Shqipëri.

Zyra e shtypit të Presidencës njofton se takimi ishte kërkuar nga Fondacioni “Shoqëria e Hapur”. Në takim, Presidenti Meta i shprehu Alex Soros shqetësimet për Gjykatën Kushtetuese dhe përkeqësimin e lirisë së medias.

“Presidenti Meta i njohu me shqetësimet e Tij, të bëra edhe publike, për përpjekjet e qeverisë për kapjen e institucioneve të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese, për përkeqësimin e lirisë së medias, si dhe për domosdoshmërinë e gjallërimit të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /tvklan.al