Presidenti Ilir Meta ka pritur në një takim ditën e sotme kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha me kërkesë të këtij të fundit.

Në fokus të bisedës ishte marrëveshja e 5 Qershorit mes PS-PD-LSI për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Meta thotë se do t’i dekretojë pa humbur kohë ndryshimet të cilat u miratuan në Parlament një ditë më parë.

“Sapo përfundova një takim me kërkesën time me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe liderin e Opozitës së Bashkuar z.Lulzim Basha. E sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit. E falenderova për kontributin konstruktiv në arritjen e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe i kërkova të vazhdojnë punën në Këshillin Politik në frymën e konsensusit duke mos rënë pre e asnjë provokimi. Inkurajova vijimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët e investuar për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe që kanë mbështetur Këshillin Politik në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes”, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.

Po gjatë ditës së sotme, kreu i shtetit takoi edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, me të cilët bisedoi gjithashtu për ndryshimet e Kodit Zgjedhor./tvklan.al