“Shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike”

Për rreth 60 minuta, Presidenti Ilir Meta ka dhënë sqarime në Prokurorinë e Tiranës ku ishte thirrur lidhur me kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit.

Pasi doli nga organi i akuzës së kryeqytetit rreth orës 13:10, Meta tha për gazetarët se ky hetim është me rëndësi të madhe për vazhdimësinë e Reformës në Drejtësi, dhe shpreson që Prokuroria të mos vihet nën presion politik gjatë punës së saj.

“Jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i Prokurorisë pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani për dy vepra të qarta penale, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës. Besoj se kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese në vijim të provave që ne kemi dorëzuar së bashku me kallëzimin tonë penal. Rasti është tmerrësisht flagrant. Unë shpresoj që Prokuroria të mos jetë në  presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm edhe me durim. Mendoj që kjo është një provë e madhe për të ardhmen e Reformës në Drejtësi”.

Presidenti Ilir Meta e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të kompetencave Ardian Dvoranin lidhur me listat e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ky është veprimi i parë konkret që Prokuroria e Tiranës ka bërë pas rreth gati 3 javësh kur Meta dorëzoi kallëzimin në Prokurori. /tvklan.al