Presidenti Meta: Vendi po rrëshket drejt juntës me grusht të hekurt



Presidenti Meta: Vendi po rrëshket drejt juntës me grusht të hekurt

09:43 04/10/2020

Presidenti Ilir Meta e vlerëson shqetësues raportin e Freedom House për Shqipërinë, ku evidenton se pandemia e Covid-19 përkeqësoi gjendjen e demokracisë në vend, sikundër në të gjithë botën.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta thotë se vendi po rrëshket drejt një junte me grusht të hekurt. Zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021, kreu i shtetit i konsideron si referendum kundër qeverisë socialiste, të cilën Meta e quan një “bandë” që ka shkelur Kushtetutën.

“Konkluzionet e Organizatës “Freedom House” për nivelin e demokracisë në Shqipëri gjatë pandemisë COVID-19, konfirmojnë qartësisht se vendi po rrëshket me shpejtësi drejt një junte me “grusht të hekurt”. Shqiptarët, të cilët kanë njohur izolimin dhe shtypjen e të drejtave njerëzore si askush tjetër, po përgatiten për Referendumin më të rëndësishëm në këto 30 vite kundër tiranisë dhe babëzisë së një bande, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as të drejta të njeriut, as Familje dhe as Atdhe”, shprehet Presidenti Ilir Meta.

Në raportin e Freedom House, për Shqipërinë ndër të tjera thuhet se “sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, legjislativi është shkrirë një me ekzekutivin, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale, dhe qeveria ka anashkaluar çdo proces demokratik. Krahu ekzekutiv që ishte edhe më parë dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë. Policisë iu dhanë më shumë kompetenca, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha dhe njerëzit janë hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Paketa antishpifje megjithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar dhe ka përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparenca qeveritare”.  /tvklan.al







Të ngjashme