Presidenti Meta vlerësohet me çmimin “Luani i Artë” për promovimin e demokracisë

Presidenti Meta vlerësohet me çmimin “Luani i Artë” për promovimin e demokracisë

10:50 13/07/2019

Presidenti Ilir Meta u vlerësua në Venecia me Çmimin Ndërkombëtar “Luani i Artë”, me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të tij për promovimin e demokracisë dhe pluralizmit politik, për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, për promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, si edhe për forcimin marrëdhënieve italo-shqiptare”.

Në prani të autoriteteve vendore të Rajonit të Venetos, që i akorduan këtë çmim, Presidenti Meta u shpreh se “ky është një çmim që në radhë të parë i dedikohet popullit shqiptar. Veçanërisht shqiptarëve të Italisë, që nga ata të ardhur prej shekujsh në Itali e deri tek shqiptarët e ditëve të sotme, për punëtorët, studentët, e për të gjitha familjet e shqiptarëve. Ky është një çmim që i shkon edhe mijëra italianëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri prej vitesh: sipërmarrës, studentë, profesionistë. Ky çmim është një simbol i miqësisë Itali-Shqipëri, një miqësi unike dhe e pandashme. Çdo gjë mund të ndryshojë në botë, por gjeografia jo, e Italia dhe Shqipëria janë të bashkuara nga historia e nga gjeografia”.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se “falë demokracisë unë, një student i ri, u bëra deputet, ministër, Kryeministër, Kryetar Kuvendi e President i Republikës, ndaj ky çmim i dedikohet demokracisë, si sistemi i vetëm që mund të ndryshojë të ardhmen për të rinjtë dhe qytetarët e një vendi. Ky është një çmim, që u dedikohet gjithashtu udhëheqësve të moderuar të rajonit, të cilët falë pjekurisë, dialogut, kanë bërë që vendet e Ballkanit, që sillnin vetëm krizë e luftë, sot janë më afër Europës e më afër paqes mes popujve. Ky është një çmim që u shkon edhe udhëheqësve fetarë, të cilët me inteligjencë, mund, sakrifica, harmoni e dashuri kundrejt pasardhësit, kanë bërë të mundur që dialogu ndërfetar dhe bashkekzistenca të jenë të shkëlqyera dhe shembull për mbarë botën”. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT