presidenti-nishani-kryeministri-renziPresidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim kryeministrin Italian Mateo Renzi. Nishani e ka falenderuar Renzin për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë për Shqipërinë dhe integrimin në Bashkimin Europian si një avokate e vendit tonë për hapjen e negociatave të aderimit.

Bashkëpunimi mes dy vendeve në shumë fusha veçanërisht në atë ekonomike u vlerësua si i shkëlqyer nga të dy autoritetet.

Kreu i Shtetit vlerësoi interesimin e vazhdueshëm të bizneseve italiane për të vijuar aktivitetet e tyre ekonomike e tregtare në Shqipëri, si dhe theksoi nevojën e nxitjes dhe promovimit të investime të tjera italiane në vendin tonë.

“Investimet italiane kanë qenë dhe mbeten nga investimet më të qenësishme për ekonominë shqiptare dhe kjo nuk mund të ndodhte pa mbështetjen dhe nxitjen e vazhdueshme të qeverive italiane.” është shprehur Presidenti Nishani.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën ngushëllimet për viktimat e aksidentit tragjik të anijes Norman Atlantic, si dhe mirënjohjen për personelin dhe strukturat e të dy vendeve që bënë të mundur minimizimin e kësaj tragjedie.

Më parë kryeministri Italian u takua edhe me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta i cili vlerësoi rolin pozitiv që Italia ka luajtur dhe mund të luajë në të ardhmen për zhvillimet dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Nga ana e tij kryeministri Italian Renzi, rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë dhe vendit të tij si dhe gatishmërinë për bashkëpunim në të gjitha fushat.

Gjithashtu, z. Renzi përgëzoi Kuvendin e Shqipërisë dhe institucionet e tjera për vendosmërinë e treguar në ecjen përpara me axhendën evropiane.

“Shqipëria nuk ka nevojë të hyjë në Evropë pasi ajo është pjesë e saj” kanë qënë fjalët e Renzit.

Tv Klan