Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Parlament ndryshimet që shumica i bëri ligjit për Vettingun në polici. Sipas kreut të shtetit, këto amendime të mirtuara në fund të muajit Mars cënojnë parimet dhe standardet e ligjit ekzistues, si dhe nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standartet e ligjit në fuqi.

Meta argumenton se në këtë mënyrë krijohet terren që ky proces të ketë ndikim politik.

Këtë shqetësim edhe pse jo në formë kaq të hapur e shprehu në Kuvend dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj në seancën ku u miratuan ndryshimet.

Arsyeja që ministri i Brendshem dha për ndryshimin e ligjit fokusohej tek ulja e kostove që kërkon ky proces, por dhe për të përshpejtuar procesin e Vettingut në radhët e uniformave blu që edhe pse është miratuar në Vjeshtën e 2017 ende nuk ka nisur.

Por, sipas Presidentit këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se qëllimi real i qeverisë nuk është zvogëlimin i kostove financiare, por vullneti i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpërdrejt në varësi të funksionit politik të ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë.

Kthimi i këtij ligji nga kreu i shtetit e çon ne 8 numrin e ligjeve të kthyera për rishqyrtim në Parlament.

Tv Klan