Situata në Kinë nga virusi i rrezikshëm po vjen duke u përkeqësuar. Ky është paralajmërimi që bën Presidenti i Kinës Xi Jinping, i cili në takimin që zhvilloi me qeverinë, tha se përhapja e virusit është duke u përshpejtuar.

Vendi po përballet me një situatë të rëndë, u tha Jinping anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Virusi vdekjeprurës, i quajtur “koronavirus”, deri më tani ka shkaktuar 56 të vdekur dhe më shumë se 2 mijë të infektuar. Vendi ku shpërtheu ky virus është qyteti kinez i Wuhan. Autoritetet lokale kanë pezulluar të gjithë transportin, përfshirë edhe linjat e fluturimit.

SHBA ka njoftuar se stafi në konsullatën amerikane në Wuhan do të evakuohet të martën me një fluturim të posaçëm. Ndërsa të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen në këtë qytet, dhe që janë në rrezik, do të nisen drejt San Francisco.

Një spital krejtësisht i ri po ndërtohet në qytetin Wuhan, i cili është parashikuar që të përfundojë brenda shumë pak ditëve.

Në të gjithë Kinën janë rritur masat për të bërë të mundur uljen e mundësisë së shpërndarjes së virusit. Nga ana tjetër, qytetarët po kontrollojnë vazhdimisht temperaturën e vetes së tyre nëse kanë ethe.

Studiuesit britanikë kanë paralajmëruar se Kina nuk do të jetë në gjendje që të mbajë virusin brenda shtetit. Aeroportet ndërkombëtare kanë shtuar kontrollet, duke verifikuar pa zbritur nga aeroplani udhëtarët e nisur nga Kina. /tvklan.al