Për Presidentin Ilir Meta kriza politike zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme. Sa i përket mundësisë të shpërndarjes së parlamentit, Meta thotë se praktikisht parlamenti është i vetëshpërndarë. Nga studio e “Opinion”, Presidenti thotë se askush nuk beson më në parlament. Madje ai është i mendimit se deputetët e mazhorancës janë në një situatë të rëndë, pasi u ka ikur vlera, duke qenë se për opozitë parlamentare kanë deputetë të cilët as e kishin menduar që mund të shkonin si vizitorë të Kuvend e jo më të ishin pjesë e tij.

Blendi Fevziu: A ka nevojë vendi për zgjedhje të parakohshme?

Ilir Meta: Ka kaluar me kohë koha e zgjedhjeve të parakohshme, sepse kjo krizë që ka ardhur këtu, vetëm me zgjedhje zgjidhet, nuk zgjidhet me asgjë tjetër.

Blendi Fevziu: Është rifolur disa herë për një mundësi tuajën për shpërndarjen e parlamentit, e rishihni si zgjidhje?

Ilir Meta: Tani, parlamenti praktikisht është vetëshpërndarë, në mënyrën sesi është sjellë.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë merr vendime, aprovon ligje.

Ilir Meta: Po patjetër, edhe ai ka botuar atë në Fletoren Zyrtare, këto janë gjëra që ndodhin. Parlamenti është vetëshpërndarë praktikisht. Askush nuk beson më në atë parlament. Bile edhe ata deputetë të mazhorancës janë në një situatë edhe më të rëndë, sepse shumë prej tyre kanë eksperiencë, kanë një personalitet, u ka ikur vlera, sepse tani ngaqë kanë ardhur disa deputetë të rinj që se kishin menduar që as mund të shkonin si vizitorë në parlament, këtyre u ka rënë vlera fare, se nuk ka njeri nevojë as për votat e këtyre. Këta ose do të futen në rresht ose do të ikim nga listat fare. Ai parlament është vetëshpërndarë. Më vjen keq që po e them këtë gjë, nuk dua ta them këtë gjë. Unë kam treguar respekt parlamentit, kam vajtur edhe tek një komision i paligjshëm parlamentar për të hetuar presidentin, i paligjshëm totalisht. Por kam vajtur vetëm për t’i thënë që shiko, unë jam president, unë vij. Pse vij? Vij se e respektoj parlamentin, respektoj qytetarët shqiptarë. Po vij këtu se unë nuk kam frikë nga akuzat tuaja, hajde mi bëni akuzat, çfarë keni, ku e kam shkelur Kushtetutën?/tvklan.al