Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.

Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

/tvklan.al