Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 63-vjeçare të mjeshtrit të valles shqiptare, Rexhep Çeliku.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj. 

I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”,

shkruajti Presidenti në një reagim në rrjetet sociale.

Çeliku u nda nga jeta orët e para të mëngjesit të së premtes, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. 4 ditë më parë ai u vlerësua nga Presidenti Meta me dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: 

“Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Në nder të figurës së Çelikut, Presidenca vendosi foton e valltarit në faqen zyrtare të këtij institucioni. 

Rexhep Çeliku, lindi më 19 korrik 1954 në Tiranë. Në 1976, ai u bë pjesë si solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në repertorin e tij artistik Çeliku numëron rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.

Ai është nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin

“për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin

“. 

/tvklan.al