Përfaqësuesit e grupeve parlamentare të forcave kryesore politike iu përgjigjen thirrjes së Presidentit të Republikës për t’u konsultuar për procesin ligjor të përzgjedhjes me anë të shortit, të anëtarëve të Këshillit e Emërimeve të Drejtësisë.

Gramoz Ruçi, Edi Paloka, Luan Rama dhe Fatmir Mediu, janë ulur në tryezën e Presidentit dhe kanë dhënë opinionet për mënyren sesi Presidenti duhet të zbatojë detyrimin e tij kushtetues për hedhjen e këtij shorti, që ndryshimet kushtetuese i diktojnë të ndodhin në 16 Gusht, por në mungesë të ligjit për funksionimin dhe organizimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku janë të përcaktuara kriteret e përzgjedhjes për anëtarët e këtij enti të ri që krijohet.

Por asnjë nga palët nuk ka preferuar në mbyllje të takimit, që zgjati afro 40 minuta, të flasë mbi qëndrimet që i kanë sugjeruar kreut të shtetit.

Në njoftimin e Zyrës së Shtypit të Presidentit thuhet se Nishani ka nënvizuar rëndësinë që ka zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe afateve ligjore, duke theksuar “domosdoshmërinë e zhvillimit të një procesi përzgjedhjeje me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sa më të mirë të mundshëm dhe të gjykuar pozitivisht e të mirëpritur nga ligjbërësit.

Për të njëjtën çështje, një ditë më parë, kreu i shtetit zhvilloi një takimin konsultativ me konstitucionalistë e ekspertë të jurispudencës, por dhe nga ky takim nuk u bë publik asnjë nga opsionet që u diskutuan si zgjidhja e këtij ngërçi, i bërë publik nga vetë Presidenti Nishani javën e shkuar./TV KLAN