Presidenti Hashim Thaçi deklaron se Kosova do t’i kryejë të gjitha detyrimet, që zbatimi i vizave të ndodhë sa më shpejt dhe që ky proces të përmbyllet me sukses.

Deklaratën, kreu i shtetit e bëri gjatë një takimi që pati sot në Presidencë, me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn.

Siç raporton

Klan Kosova, 

Thaçi e ka falënderuar Hahn për vizitën e tij në Kosovë, për mbështetjen e tij për procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si dhe për rekomandimin për liberalizimin e vizave.

Sipas Presidentit,

“rekomandimi nuk ka qenë dhuratë për Kosovën, por ka qenë meritë dhe zbatim i plotë i të gjitha kritereve të nevojshme demokratike”

.

Kreu i shtetit theksoi se Kosova është vend stabël, me institucione stabël, me një komunikim dhe dialog të brendshëm mes spektrit politik kosovar. Gjithashtu, Thaçi theksoi se vendi është në një fazë të re të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si një proces që do çojë drejt evropianizimit të plotë të rajonit.

Ndërkaq, Komisioneri i BE -së për Zgjerimin dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, Johannes Hahn, u shpreh se ai po qëndron në vizitë në Kosovë për të shfrytëzuar së bashku me autoritetet kosovare këtë ‘momentum’ evropian të fituar në muajt e fundit.

“Mendoj se raporti pozitiv për liberalizimin e vizave, por edhe fakti se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi, nënkupton se vendi ka shumë mundësi përpara. Tani është koha për të parë se si ne mund t’i shfrytëzojmë këto mundësi, veçanërisht për t’i dhënë shtytje ekonomisë”,

 tha Komisioneri Hahn.

Ai tha se është e rëndësishme që të përmbushen dy kërkesat e mbetura për të siguruar miratimin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se konsideron se kjo duhet të jetë e arritshme, sepse është në interes të vendit dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për njërin prej hapave të parë drejt perspektivës europiane të shtetit.

“Është shumë me rëndësi për të zgjidhur problemet aktuale sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të përqendroheni në shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, për trajtimin e papunësisë në vend, posaçërisht në mesin e të rinjve”,

theksoi Hahn.

Presidenti Thaçi falënderoi Komisionerin Hahn për mesazhet e tij, që i ka dërguar sot për gjithë spektrin politik, shoqërinë kosovare dhe për të gjitha institucionet e vendit. /tvklan.al