Me rastin e 96 vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës Bamir Topi, organizoi në Pallatin e Brigadave një pritje për personalitetet e të gjitha fushave në Shqipëri. Në këtë pritje presidenti shoqërohej nga kryeministri Sali Berisha, kryetarja e vendit Jozefina Topalli, si dhe personalitete të tjera të vendit. Gjatë fjalës së tij në kujtim të ditës së flamurit Topi, përshëndeti shqiptarët si dhe mbështeti pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa u fokusua tek objektivi i Shqipërisë për anëtarësim në NATO.

Bamir Topi: “Ne kemi të drejtë të krenohemi sot në këtë 96 vjetor të shpalljes së pavarësisë. Kosova fitoi pavarësinë e saj pas një kalvari të gjatë dhimbjesh dhe mundimesh dhe po përpiqet ta mbrojë atë ashtu sikurse u përpoqën të mbronin pavarësinë e vitit 1912 anëtarët e parë të Qeverisë së Vlorës. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët ashtu sikurse e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën, ashtu edhe nuk do të lejojnë që sovraniteti i saj të cenohet. Qëllimi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian është detyrues dhe përkushtues. Arritja e këtij qëllimi kalon nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe forcimit të konceptit demokratik të respektit institucional në marrëdhëniet midis institucioneve të shtetit, parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Fjalën e tij nga Pallati i Brigadave, Presidenti i Republikës Bamir Topi e mbylli duke uruar të gjithë shqytarët edhe jashtë Shqipërisë për festën e pavarësisë./tvklan.al